Lojrat olimpike 2012 Londer


Londra po mirëpret rreth 10 mijë atletë, qindra mijëra vizitorë dhe një audiencë botëtore për hapjen e Lojërave Olimpike sot. 
 
Organizatorët janë marrë me problemet e minutës së fundit, duke përfshirë mobilizimin e një personeli të mjaftueshëm sigurie, pasi një kontraktues privat nuk arriti të siguronte numrin e duhur të njerëzve për këtë qëllim. Por në koncertin e vendosjes së Pishtarit Olimpik në parkun Hyde, kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson e siguroi botën dhe kandidatin amerikan për president Mitt Romney, i cili vuri në pikpyetje gatishmërinë e Britanisë, se qyteti është i përgatitur për lojrat.
 
 
“Është një njeri i quajtur Mitt Romney, i cili do të dijë nëse jemi gati. A jemi gati?  Infrastruktura është gati. Siguria është gati. Policia është gati. Sistemi i transportit është gati”.
 

Kryeministri britanik David Cameron thotë se ndonëse lojrat po i organizon Londra, kjo ngjarje është burim krenarie për tërë Mbretërinë e Bashkuar. 
 
“Pishtari Olimpik demostron se nuk janë lojrat londineze apo angleze. Ato i përkasin Mbretësisë së Bashkuar. Javën që vjen do të shkoj në Irlandën e Veriut, Skoci dhe Wales që të theksoj këtë pikë.”
 
Ndërkohë zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama ka vizituar atletët olimpikë amerikanë në Londër në prag të ceremonisë së hapjes. Ajo u tha atletëve se ata janë një frymëzim për amerikanët.

Zonja Obama do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, pas një pritjeje të organizuar nga Mbretëresha Elizabet dhe një takimi me nxënës shkollash.
 
Garat në 26 sporte do të zgjasin deri më 12 gusht. Parada e atletëve do të fillojë me Greqinë dhe do të përfundojë me Britaninë.  Ceremonia e hapjes do të drejtohet nga Danny Boyle, regjisor i filmit fitues të çmimit Oskar, Slumdog Millionare.